Dy fjalë për Niko Stylos

Niko Stylos ka lindur në vitin 1946 në Çamofshatrat e prefekturës së Prevezës dhe pikërisht në fshatin shqipfolës të Aidonias, i cili gjer më 1927 quhej Ftina. U rrit dygjuhësh dhe mbaroi shkollën fillore të atëhershme me një klasë, ku vepronte dhe rregulli i përgjithshëm një e rrahur për çdo fjalë shqip të nxjerrë nga goja. I ati i tij, babai i tetë fëmijëve, i cili edhe pse me mundim ndonjë herë bënte ndonjë barrë më shumë misër se të tjerët, duke patur bindjen se dituria është mirësia më e çmuar, dërgoi, i pari në fshatin e tij, disa nga fëmijët e tij në gjimnaz. Njëri prej tyre ishte dhe më i vogli, Nikua, i cili pas shërbimit të atëhershëm ushtarak dyvjeçar, shkoi për studime në Bolonjë të Italisë, ku erdhi në kontakt me etruskët dhe etruskologjinë.
Dhjetë fjalë: Për shkak të shumë problemeve të financimit të studimeve të tij, pas tre vjetësh shkoi në Gjermaninë Perëndimore të aso kohe e student në Stutgard shkroi, më 1974-1975, të parën përmbledhje të tij poetike me titull “DHJETË FJALË” (“¯ΕΚΑ ΛΕΞΕΙΣ”), dhe të mëpasshmen “DUKE MPREHUR THIKA” (“ΣΦΥΡΗΛΑΤΝΤΑΣ ΜΑΧΑΙΡΙΑ”) në Essen, e cila këtë vit, e përkthyer në shqip nga Llambro RUCI, qarkulloi si botim dygjuhësh në Tiranë.
Duke mprehur thika: Duke besuar te teoria se gjuha etruske është gjuha e pellazgëve, apominare (mbetje) të të cilëve janë arvanitetë, e në përgjithësi shqiptarët kudo rreth Mesdheut, filloi të merret intensivisht me etruskologjinë dhe lexoi, me gjuhën arvanitase, që flet, shumë nga këto mbishkrime të palexueshme. Më 2003 në Athinë qarkulloi libri i tij “PREHISTORIA E ARVANITASVE”, të cilin botuesi e pasemëroi “ELEMENTE PREHISTORIKË NË TEKSTE TË LASHTA ARVANITASE”.

Vitin tjetër ky libër i përkthyer në shqip me titull “HISTORIA E SHENJTË E ARVANITËVE”, qarkulloi në Prishtinë dhe në 2010 në Tiranë, në përkthimin shqip, pjesa e parë e librit “ΕΤΡΟΥΣΚΙΚΑ” me titullin shqip “ETRUSKISHTE – TOSKËRISHTE”. Meqë fjalësi i tij arvanitas nuk ishte i mjaftueshëm për leximin e shkrimeve etruske, që janë ruajtur, u kthye fjalorëve të ndryshëm të kësaj gjuhe dhe më 2007 u botua në Tiranë FJALORI i Marko Boçarit, dhe këtë vit po në Tiranë, FJALORI KATËRGJUHËSH i Daniili Voskopojarit dhe FJALORI GREQISHT-SHQIP i Panajot Kupitorit.

Puna e tij, edhe pse nga superpatriotët grekë kishte kritikë të ashpër, dhe nga shqiptarët, që nuk duan të dëgjojnë fjalë për pellazgët, konsiderohen një punë diletante, gjeti jehonë të madhe dhe librat e tij u botuan kryesisht me financimin e bashkëpatriotëve të ndryshëm çamë, si dhe më 2008 qarkulloi në Tiranë një libër kushtuar atij “ΝΙΚΟ STILLO Njeriu Akademi”, shkruar nga Dr. Laurant Bica. Vetvetishëm, në rrugën e nisur, ai u takua edhe me fjalorët e shqipes. Duhet të pohojmë këtu se shqipja ka me një traditë leksikografike e gati 400-vjeçare dhe një fond të vyer me rreth 500 fjalorë.

Për fjalorët dygjuhësh, ku shqipja është gjuhë e parë ose gjuhë e dytë, ajo mund të krahasohet me vendet me leksikografi tepër të zhvilluar. Por N. Stylos ka meritën se është marrë dhe ka botuar tri vepra leksikografike që kanë të bëjnë me shqipen e shekullit XVIII-XIX. Me botime të tilla ai është kthyer në misionar të kulturës sonë dhe puna shumëvjeçare, këmbëngulëse, pasionante, e vështirë si rrallë tjetër, por e frytshme deri në lavdërim, kurorëzohet suksesshëm. Si pinjoll i familjes Boçari të Sulit, N. Stylos në vitin 2007 boton “Fjalorin e M. Boçarit”, me një trajtesë teorike të gjerë e të plotë për gjuhën amtare, për shqipen, dhe për vlerat e fjalorit. Këtë vepër tashmë mjedisi shkencor dhe ai joshkencor, jo vetëm e ka mirëpritur, por edhe ka vlerësuar tepër pozitivisht. Bota shqiptare, sidomos ajo kulturore dhe shkencore, gjatë këtij viti, d.m.th., gjatë viti 2011, mori në duar një tjetër vepër përfaqësuese të historisë së kulturës sonë, “Fjalorin katërgjuhësh të Daniil Voskopojarit”. Themi mori në duar, dhe jo rimori, sepse botimi nuk është thjesht fjalori, por si edhe veprat e tjera të përgatitura dhe të botuara prej N. Stylosit, është shumëpërmasor.

Veprën e hap një parashtrim për të shpjeguar etimologjikisht emrin Voskopojë, të qytetit që del si mbiemri identifikues i autorit të fjalorit, të qytetit që, në kohën kur u hartua vepra, ishte “me më shumë i kulturë në të gjithë Shqipërinë, si dhe kishte, qysh në vitet e Mesjetës, një shkollë famëmadhe dhe një tipografi (shtypshkronjë). Vepra e përgatitur nga ky studiues është një enciklopedi, që nis që nga historia e shkon deri te gjurmimi i shkrimit të shqipes dhe i alfabeteve të saj, sidomos të shqipes toske. Autorit shtysën për t’u ndalur në këtë vepër e ka marrë së pari nga alfabeti grek i përdorur në Fjalor, i cili ndryshon me 8 simbole (shkronja) nga alfabeti klasik grek. Dhe në dhjetëra e dhjetëra faqe ai merret me to duke i mëshuar faktit se shqiptimin e tyre mund ta perceptojmë sipas autorit “vetëm arvanitasen apo shqipen jugore, të cilën e identifikon me dialektin a gjuhën e stërlashtë jonike”.

Ai merret me alfabetet epirote, kur heshtja ndaj tyre markon jo vetëm studiuesit grekë, por edhe ata shqiptarë. Fjalori katërgjuhësh i D. Voskopojarit, i përgatitur nga N. Stylos, nuk është thjesht një qasje në shekullin e ri të një vepre që mungonte në bibliotekat tona të punës, por edhe një punim përfshirës i botimeve e ribotimeve të Fjalorit në shekullin e 19-të. Ai i përqas ato, krahason, vlerëson dhe gjen aty lëndë të pasur në funksion të idesë së tij për shkrimin e kryehershëm të shqipes.

Ardhja e veprës në përmasa me të cilat ajo shpërfaqet, nderon autorin, por pasuron kulturën tonë kombëtare dhe lehtëson punën e studiuesve. Por dobësia e gjithë jetës shkencore dhe kurorëzimi i një pune të jashtëzakonshme të N. Stylos, është “Fjalori greqisht – shqip” i Panajot Kuptiorit. Bota shkencore kish njohur, në shekullin që lamë pas, botimin e kësaj vepre nga Titoo Johallas. Por ndryshe nga ky autor, ku fjalët e të dyja gjuhëve janë në greqisht, akribia shkencore e N. Stylos del në pah, së pari, në punën e admirueshme për të transkriptuar me alfabet latin a, më saktë, me alfabetin e shqipes, fjalësin shqip të fjalorit. Parathënia e veprës, ku parashtrohet e gjithë puna e bërë, gjetja e grafemave të sakta që t’u përgjigjen tipave tingullorë të shqipe janë ana më e spikatur e veprës dhe e punës këtij studiuesi.

Shkruaj nje koment

Newsletter